Shkarko aplikacionin dhe merr 1 GB falas

Shkarko në App StoreMerre në Google Play
Kudo eSIM

Kushtet e Përdorimit

Duke përdorur shërbimet tona, ju pranoni kushtet dhe afatet e mëposhtme, të cilat janë krijuar për të siguruar një përvojë të këndshme dhe të sigurt për të gjithë përdoruesit tanë.

Mirësevini në KudoSim, ofruesi juaj i besuar i shërbimeve eSIM për udhëtimin ndërkombëtar. Duke përdorur shërbimet tona, ju pranoni kushtet dhe afatet e mëposhtme.

Siguria dhe Përgjegjësia e Përdoruesit

Ju jeni përgjegjës për të mbrojtur të dhënat tuaja personale dhe për të siguruar që pajisja juaj është e mbrojtur kundër qasjes së paautorizuar. Përdorimi i shërbimit tonë duhet të bëhet në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret vendase dhe ndërkombëtare.

Verifikimi dhe Pajtueshmëria

Është jetike që ju të verifikoni nëse pajisja juaj është e pajtueshme me teknologjinë eSIM para se të kryeni blerjen. Ne nuk marrim përgjegjësi për çështje që rrjedhin nga mospajtueshmëria e pajisjeve.

Përgjegjësia e Aktivizimit të eSIM-it

Përdoruesi është plotësisht përgjegjës për aktivizimin dhe përdorimin korrekt të eSIM-it pas blerjes. Ne nuk mbajmë përgjegjësi për:

  • rastet kur klienti nuk ka aktivizuar eSIM-in;
  • rastet kur klienti ka lënë të aktivizuar opsionin Allow Data/Cellular Switch në pajisje, duke shkaktuar faturim nga operatorë të tjerë;
  • rastet kur eSIM-i nuk është aktivizuar për shkak të mungesës së njohurive teknike apo moskontrollimit nga ana e përdoruesit.

Çdo pagesë apo faturim i ardhur nga operatorë të tretë, për shkak të mosaktivizimit ose përdorimit/instalimit/aktivizimit të gabuar të eSIM-it, është përgjegjësi e plotë e përdoruesit.

Bartja ose Transferimi i eSIM-it

Bartja ose Transferimi i eSIM-it nga KudoSim vjen me disa informacione të rëndësishme që klientët duhet të kenë parasysh përpara se të vendosin të përdorin shërbimet tona:

Para Skanimit të eSIM-it

Nëse ende nuk keni skanuar QR kodin për eSIM-in tuaj, ju keni fleksibilitetin të instaloni eSIM-in në çdo pajisje të përshtatshme që mbështet teknologjinë eSIM. Kjo do të thotë se deri në momentin e skanimit, ju jeni të lirë të zgjidhni pajisjen në të cilën dëshironi të përdorni eSIM-in tuaj.

Skanimi i QR Kodit

Është thelbësore të theksohet se QR kodi që ju merrni për eSIM-in tuaj mund të skanohet vetëm një herë. Në momentin që ky kod është skanuar dhe eSIM-i është aktivizuar në një pajisje, ai konsiderohet si i përdorur dhe lidhet ngushtë me atë pajisje specifike.

Pas Skanimit

Pas aktivizimit, është e pamundur të bartet ose transferohet eSIM-i në një pajisje tjetër. Ky kufizim është në përputhje me rregulloret e operatoreve të telekomunikacioneve dhe është vendosur për të siguruar sigurinë dhe integritetin e shërbimeve të telekomunikacionit.

Rregullat e Rimbursimit dhe Kthimit të Pagesave

Para se të bëni blerjen, ju nxisim të verifikoni nëse pajisja juaj mbështet eSIM duke klikuar në lidhjen e ofruar gjatë procesit të porosisë. Është përgjegjësi e klientit të sigurojë që pajisja e tyre është e përputhshme me shërbimin e ofruar nga KudoSim.

Nëse blini një paketë dhe më vonë zbuloni që pajisja juaj nuk është në listën e pajisjeve që mbështesin eSIM, ju informojmë që nuk kualifikoheni për një rimbursim, pasi ky informacion ishte i disponueshëm dhe duhej verifikuar para blerjes.

Në momentin që blerja është bërë dhe kodi QR ju është dërguar me email, kjo përfaqëson një kosto për KudoSim që nuk mund të rimbursohet. Ky proces aktivizon shërbimin tuaj dhe konsiderohet si përfundimtar. Pasi klientët të instalojnë eSIM-in, do të konsiderohet si i përdorur dhe nuk do të ofrohen rimbursime.

Rimbursimi do të jepet vetëm në raste ku mund të verifikohet që gabimi është nga ana jonë ose në sistemin tonë. Çdo kërkesë për rimbursim në këto rrethana duhet të mbështetet me prova të qarta dhe të paraqitet brenda 2 ditëve nga data e blerjes.

Politika "Fair Usage" për pakot Pa Limit

Edhe pse një plan pa limit ofron lehtësinë e përdorimit të pakufizuar të të dhënave me shpejtësi të lartë, kjo nuk do të thotë se shpejtësia e të dhënave tuaja do të jetë gjithmonë në maksimumin e saj. Për të parandaluar ngarkesën e rrjetit, shumica e ofruesve të shërbimeve celulare zbatojnë një limit përdorimi ditor. Sapo të arrihet ky limit, shpejtësia e të dhënave tuaja do të reduktohet ose "kufizohet".

Disponueshmëria dhe Përdorimi i Shërbimit

Është detyra juaj të verifikoni se destinacionet ku dëshironi të përdorni shërbimin eSIM janë të mbuluara nga lista jonë. Shërbimi duhet të përdoret në përputhje me udhëzimet dhe brenda kufijve të lejuar ligjorë.

Të Drejtat e Autorit dhe Pronësia Intelektuale

Çdo përdorim i paautorizuar i materialit të mbrojtur nga të drejtat e autorit dhe pronësia intelektuale të lidhur me shërbimin tonë është i ndaluar.

Ndryshimet në Kushte

Ne rezervojmë të drejtën për të ndryshuar këto kushte në çdo kohë, dhe ndryshimet do të bëhen të njohura përmes faqes sonë të internetit.

Kufizimi i Përgjegjësisë

Ne nuk jemi përgjegjës për ndonjë dëm që rrjedh nga përdorimi ose mos-përdorimi i shërbimit tonë eSIM.