Politika e Përdorimit të Drejtë për pakot Pa Limit
Si funksionojnë pakot Pa Limit të KudoSim dhe si duhet t'i përdorni. Lexohet bashkë me Kushtet e Përdorimit.
Kjo politikë shpjegon si funksionojnë pakot tona Pa Limit dhe si duhet t'i përdorni. Vlen për të gjitha pakot Pa Limit të shitura përmes faqes, platformës dhe aplikacionit tonë, dhe lexohet bashkë me Kushtet e Përdorimit. Duke blerë ose aktivizuar një pako Pa Limit, ju pranoni këtë politikë. Ofruesi është KUDOSIM L.L.C.
Si funksionon pako Pa Limit
Me pako Pa Limit nuk mbeteni kurrë pa internet gjatë ditëve të pakos. Çdo ditë keni një sasi me shpejtësi të plotë, të mjaftueshme për video, rrjete sociale dhe gjithçka tjetër. Pasi e përdorni atë sasi brenda ditës, interneti nuk ndalet, vetëm ngadalësohet, dhe mbetet i mjaftueshëm për mesazhe, harta dhe email.
Pas mesnatës, sipas orës lokale, shpejtësia e plotë kthehet automatikisht nga e para, kështu të nesërmen jeni sërish me internet të shpejtë. Kjo përsëritet çdo ditë deri në fund të pakos dhe nuk keni nevojë të bëni asgjë.
Shembull: te pako Pa Limit 3 ditore keni rreth 4GB me shpejtësi të plotë çdo ditë. Ditën e parë mund t'i përdorni shpejt duke parë video, interneti vazhdon më ngadalë deri në mesnatë, dhe ditën e dytë e të tretë fillon sërish me shpejtësi të plotë. Sasia e saktë ditore shfaqet te detajet e pakos.
Çfarë do të thotë 'Pa Limit'
Pa Limit do të thotë që nuk ka një sasi totale GB që ju mbaron, prandaj jeni gjithmonë online. Që rrjeti të mbetet i shpejtë dhe i drejtë për të gjithë, zbatohet një kufi i drejtë ditor: pasi e kaloni sasinë e shpejtë të asaj dite, shpejtësia ulet deri pas mesnatës, kur rifillon e plotë.
Edhe me shpejtësi të reduktuar mund të dërgoni e merrni mesazhe, të shfletoni faqe të thjeshta, të përdorni harta për navigim dhe të bëni video-thirrje me cilësi më të ulët. Aktivitetet me shumë të dhëna, si streaming video, lojëra ose shkarkime të mëdha, do të jenë më të ngadalta deri sa të rifillojë shpejtësia.
Përdorimi i lejuar
Pakot Pa Limit janë për përdorim personal, jo komercial. Pako Pa Limit jep internet, ndaj është projektuar për udhëtarë dhe profesionistë në lëvizje që duan qasje të pandërprerë në aplikacionet e përditshme: mesazhe përmes aplikacioneve si WhatsApp, rrjete sociale si Instagram dhe TikTok, shfletim interneti dhe email gjatë gjithë ditës.
Hotspot
Hotspot-i, pra ndarja e internetit me pajisje të tjera, nuk lejohet me pakot Pa Limit. Sapo rrjeti zbulon përdorim si hotspot, lidhja mund të kufizohet ose suspendohet. Nëse ju duhet hotspot, përdorni një pako të zakonshme me GB.
Çfarë nuk lejohet
Pako Pa Limit është një Travel SIM për udhëtime, jo internet shtëpiak apo lokal. Për të mbrojtur rrjetin dhe për ta mbajtur shërbimin të drejtë për të gjithë, nuk lejohet:
- rishitja, rishpërndarja ose ndarja komerciale e lidhjes me të tretë;
- përdorimi automatik ose me makina, si SIM farm, auto-dialer, sisteme dërgimi masiv mesazhesh ose mjete të ngjashme;
- përdorimi që ngarkon ose bllokon rrjetin për të tjerët, si shkarkim e ngarkim i vazhdueshëm i skedarëve shumë të mëdhenj, ndarje skedarësh P2P si BitTorrent, ose mbajtja e një serveri web a loje;
- çdo përdorim i paligjshëm ose në kundërshtim me ligjin në fuqi;
- përpjekje për të anashkaluar masat e menaxhimit të rrjetit sipas kësaj politike.
Për aktivitete me të dhëna shumë të mëdha këshillohet Wi-Fi. Nëse veprohet ndryshe, suspendimi mund të bëhet automatik nga operatorët ku lidheni, dhe për këtë nuk mbajmë përgjegjësi.
Menaxhimi i rrjetit
Rrjetet që mundësojnë pakot tona mund të zbatojnë menaxhim të trafikut në periudha me ngarkesë të lartë. Kjo mund të sjellë ulje shpejtësie të ndryshme nga kufiri ditor i përshkruar më lart dhe është jashtë kontrollit tonë të drejtpërdrejtë. KudoSim nuk jep garanci për shpejtësinë, cilësinë ose disponueshmërinë e lidhjes në çdo moment.
Shkeljet e kësaj politike
Nëse besojmë në mënyrë të arsyeshme se një pako Pa Limit po përdoret në kundërshtim me këtë politikë, mund të, pa njoftim paraprak: të kufizojmë ose pezullojmë qasjen në pako dhe në llogarinë tuaj; të mbyllim pakon pa rimbursim; ose të marrim çdo masë tjetër të arsyeshme për të mbrojtur rrjetin dhe përdoruesit e tjerë. Një shkelje e kësaj politike është edhe shkelje e Kushteve tona të Përdorimit.
Mbulimi
Pako Pa Limit (Europa + Rajoni) mbulon 46 shtete, përfshirë Shqipërinë, Italinë, Gjermaninë dhe vendet e tjera të Evropës e të rajonit. Brenda Kosovës pako e udhëtimit nuk kap valë; për internet brenda Kosovës ju duhet pako e Diasporës.
Të përgjithshme
Mund ta përditësojmë këtë politikë herë pas here. Ndryshimet hyjnë në fuqi nga data e publikimit dhe vlejnë për pakot e blera në atë datë ose pas saj. Kjo politikë rregullohet bashkë me Kushtet tona të Përdorimit. Për pyetje, na shkruani te info@kudoesim.com.